Në prag të festave të fundvitit, qyteti dhe njësitë administrative janë gjallëruar nga një sërë aktivitetesh festive të dedikuara më të vegjëlve. Një pjesë e rëndësishme e jetës kulturore në këto ditë janë zënë nga koncertet e fëmijëve, të organizuara nga të gjitha kopshtet e qytetit dhe ato në njësitë administrative.
Këto koncerte festive, të mbushura me këngë, vjersha dhe mesazhe dashurie, përcjellin simbolikën e Vitit të Ri dhe të Krishtlindjes, duke sjellë gëzim, shpresë dhe ngrohtësi në çdo komunitet. Fëmijët janë protagonistët kryesorë të këtyre aktiviteteve, duke dhuruar emocione të veçanta dhe duke përçuar me sinqeritet vlerat më të bukura të këtyre festave.

Një rol të veçantë në organizimin dhe realizimin e koncerteve kanë edukatoret e kopshteve, të cilat, me përkushtim dhe profesionalizëm, janë dirigjentet e këtyre aktiviteteve artistike. Falë punës së tyre të palodhur, çdo koncert shndërrohet në një festë të vërtetë për fëmijët, prindërit dhe komunitetin.
Bashkia Elbasan ka mbështetur dhe ka qenë e angazhuar në nxitjen e këtyre aktiviteteve kulturore-edukative, si pjesë e vizionit për krijimin e një mjedisi sa më të ngrohtë dhe gjithëpërfshirës për fëmijët. Përmes këtyre koncerteve, jo vetëm festohen ditët e shënuara të fundvitit, por forcohet edhe bashkëpunimi mes institucioneve arsimore, familjeve dhe komunitetit.

Koncertet në kopshte, si në qytet ashtu edhe në njësitë administrative, kanë zbukuruar atmosferën festive, duke e kthyer fundvitin në një periudhë plot ngjyra, buzëqeshje dhe emocione pozitive, ku gëzimi i fëmijëve mbetet dhurata më e çmuar për të gjithë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.