Më shumë se 70,000 raste të reja të fëmijëve me Covid-19 janë raportuar në SHBA, që nga fillimi i gushtit, tregojnë të dhëna e fundit sipas “CNN”. Sipas një raporti të përditësuar nga “Akademia Amerikane e Pediatrisë” dhe “Shoqata e Spitalit të Fëmijëve” rastet e fëmijëve të infektuar u rritën me 21% nga 6 gushti deri më 20 gusht.
Më shumë se 440,000 fëmijë janë infektuar në SHBA që nga fillimi i pandemisë. Sipas CNN, fëmijët e infektuar rrallë mund të sëmuren rëndë, por udhëzimet e përditësuara nga raporti i “Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Sëmundjet” të postuar në fillim të këtij muaji, tregojnë se numri i fëmijëve që shtrohen në spital po rritet gjithnjë e më shumë.
Nga të shtruarit në spital me virus, vetëm një në tre fëmijë pranohet në kujdes intensiv, ashtu siç ndodh dhe me të rriturit. Të dhënat e reja pasqyrojnë ato që kanë theksuar ekspertët për studentët që do të rikthehen në shkollë: “Ka ende shumë gjëra që nuk i dimë kur bëhet fjalë për fëmijët dhe virusin, përfshirë faktin se sa i madh është roli i tyre në transmetimin e tij”.
Kur disa shkolla në Gjeorgji u rihapën në fillim të këtij muaji, qindra student, përfshirë dhe stafin, u infektuan, pasi u raportuan raste me Covid-19. Gjeorgjia është një ndër shtetet që nuk ka zbatuar mbajtjen e maskave kundër përhapjes së Covid-19. Maskat, thonë ekspertët prej muajsh, aktualisht janë ndër mjetet më të fuqishme të vendit kur bëhet fjalë për frenimin e përhapjes së virusit.