Fëmijët e talentuar të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Elbasan ndezën skenën e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë, i cili po mbahet në qytetin historik të Beratit. Me energji, pasion dhe interpretim mbresëlënës, ata sollën përpara publikut një shfaqje të kuruar në detaje, duke fituar duartrokitjet e ngrohta të spektatorëve dhe te qeshura pafund.
Performanca e tyre u veçua për origjinalitetin artistik, përkushtimin dhe aftësinë për të përcjellë emocione të forta, duke dëshmuar edhe një herë nivelin e lartë artistik që ka arritur Qendra Kulturore e Fëmijëve në Elbasan.
Ky sukses është rezultat i punës së palodhur të stafit artistik dhe i përkushtimit të vetë fëmijëve, të cilët përfaqësuan denjësisht qytetin e tyre.

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për të rinjtë në vend, ku përfaqësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë prezantojnë krijimtarinë e tyre në një atmosferë të gjallë, frymëzuese dhe plot emocione.
Pjesëmarrja e Elbasanit për të tretin vit rresht në këtë festival jo vetëm që rrit profilin kulturor të qytetit, por konfirmon edhe një herë rolin udhëheqës që Qendra Kulturore e Fëmijëve ka në edukimin përmes artit dhe në zbulimin e talenteve të reja.