Në territorin e Bashkisë Elbasan është hapur një tjetër biznes i ri që vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit familjar.
Fabrika e Vajit të Ullirit “Vishkulli” është tashmë një realitet modern dhe i pajisur me teknologjinë më të avancuar të përpunimit të vajit të ullirit, duke garantuar cilësi të lartë dhe standarde bashkëkohore në prodhim.
Pas kësaj nisme qëndron familja Vishkulli, me Syrja Vishkullin dhe djemtë e tij, Emiliano e Erjon, të cilët prej gati dy dekadash janë të njohur për kontributin e tyre në fushën e fidanishtes dhe kultivimit të ullinjve. Me hapjen e kësaj fabrike, ata hedhin një hap të rëndësishëm drejt përpunimit dhe vlerësimit të produkteve bujqësore vendase.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi këtë investim si një tregues të qartë të klimës së mirë për zhvillimin e bizneseve në qytet:
“Kjo është një histori e bukur suksesi që tregon se Elbasani ka potencial të jashtëzakonshëm në bujqësi dhe përpunim ushqimor. Familja Vishkulli është shembull se si përkushtimi, tradita dhe investimi në teknologji mund të sjellin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Bashkia Elbasan do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë të tillë që krijon vende pune dhe promovon produktet vendase me cilësi të lartë.”

Hapja e fabrikës “Vishkulli” vjen në një moment kur Bashkia Elbasan po nxit zhvillimin rural dhe përforcimin e ekonomisë vendase përmes nxitjes së investimeve dhe krijimit të kushteve të favorshme për bizneset bujqësore.
Ky biznes përfaqëson jo vetëm një histori suksesi familjar, por edhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të prodhimeve vendase në tregun kombëtar dhe atë ndërkombëtar të vajit të ullirit.