Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi vizitoi shkollën 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan, ku u njoh jo vetëm me nxënës të jashtëzakonshëm, por edhe me mësues shumë të përkushtuar në punën e tyre. “Çfarë kënaqësie dhe emocionesh mora gjatë vizitës në shkollën 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan, ku u njoha jo vetëm me nxënës të jashtëzakonshëm, por edhe me mësues shumë të përkushtuar në punën e tyre”, u shpreh Kushi.
“Takova nxënësen e klasës së 7-të Enkileda Carja, disa herë kampione gjatë viteve të fundit në garat kombëtare të peshëngritjes për të rinjtë dhe jam optimiste për suksesin e saj edhe në garat e ardhshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo është një model shumë i mirë frymëzimi për bashkëmoshatarët e saj, sepse është jo vetëm një sportiste e talentuar, por edhe një nxënëse shembullore”, theksoi Kushi.
“Njëkohësisht, e pranova me kënaqësi ftesën edhe për një intervistë ekskluzive nga nxënësit e shkollës në kuadër të projektit “Underadio”, një “radio nga nxënësit për nxënësit” ku ata flasin për tema që lidhen me mjedisin, rolin e tij për shëndetin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve”, shtoi Kushi.