Mbyllja e një sezoni është koha e duhur për të bërë bilancet. Nga njëra anë për të nxjerrë statistika që mund t’i shërbejnë skuadrës për sezonin e ardhshëm, si edhe njëkohësisht për të parë se ku ka qenë efikase apo ku ka gabuar. elbasaniPërjashtim nuk bën as skuadra e Elbasanit, e cila pa t’i ikte nga duart për pak “Final 4”, që do të përkthehej ndryshe në një vend të sigurt në Europë. Dhe, po të kthehemi pas në kohë, kanë qenë disa ndeshje që kanë mbetur “peng” dhe u hoqën verdhebluve mundësinë që sot të ishin në garë edhe për titullin. “Panorama Sport” i bën një “skaner” atyre ndeshjeve që konsiderohen si ato që lanë Elbasanin në vendin e pestë.
NDESHJET E “MËKATIT” – Praktikisht, ashtu si të gjitha skuadrat e tjera të kampionatit, edhe Elbasani bëri disa gabime rrugës, duke lënë pikë të rëndësishme. Gjithsesi, duke parë dinamikën dhe atë se çfarë prodhoi kampionati më fund, mund të thuhet se janë tre ndeshjet e “mëkatit” për verdheblutë. Thuhet kështu, sepse ka gabuar atëherë kur nuk pritej dhe për më tepër që përballë kanë pasur Skënderbeun dhe Laçin, dy ekipet që në fund ranë nga kategoria.
Njëkohësisht, ndeshjet kanë qenë në “Elbasan Arena”, aty ku dihej që elbasanasit kishin një armë më shumë, tifozët. Më konkretisht, verdheblutë u ndalën dy herë nga Skënderbeu në shtëpinë e tyre, respektivisht në barazimet 1-1 dhe 0-0, rezultate që u konsideruan surprizë. Bëhet fjalë për katër pikë të lëna në këto dy takime. Një tjetër ndeshje që la shije të hidhur dhe ishte e papritur, lidhet me humbjen ndaj Laçit po në shtëpi në rezultatin 1-2. Edhe këtu tri pikë të lëna që konsideroheshin praktikisht si një formalitet. Janë pikërisht këto tri ndeshje ato që ende “djegin” në Elbasan, duke qenë se përballë kishin sy skuadra që në fund ranë edhe nga kategoria.
GABIMET E TJERA – Lista me gabime është e gjatë, por deri diku të pranueshme, edhe për faktin se ishin ndalesa në transferta ose ndaj ekipeve që patën pretendime. Barazimet e shumta gjithashtu bën punën e tyre, ku koleksinuan plot 17 të tilla, vetëm një më pak sesa Tirana kampione sa u përket këtyre rezultateve. Megjithatë, ajo që iku tanimë nuk zhbëhet më, por të paktën verdheblutë kanë nxjerrë mësime për sezonin e ardhshëm, ku pretendimet janë sërish të larta.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL