Një 43-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri në Itali nga një bashkëatdhetar i tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fontanafredda.
43-vjeçari, Vladimir Topjana, pak para ngjarjes ndodhej me një të afërm pak hapa nga një lokal i mbushur me njerëz për ndeshjen e futbollit mes Romës dhe Juventusit, kur në një moment kanë mbërritur disa persona me një Audi të bardhë, shkruajnë mediat italiane.
Personat që zbritën nga Audi kanë debatuar fillimisht me viktimën. Debati me tone të larta ka tërhequr vëmendjen e disa klientëve të lokalit pranë, të cilët tentuan t’i qetësojnë, por pa sukses. Më pas, shqiptarët kanë lëvizur në një hapësirë mes dy bizneseve, ku debati u agravua në vrasje. Në një moment një prej tyre ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar tre herë. Një nga plumbat e ka kapur Topjanën në kokë duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Policia italiane njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë kunati i tij, i cili fillimisht nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte. Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës. 43-vjeçari, raportohet se e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty. Autori 30-vjeç, u arrestua pak orë pas ngjarjes, ndonëse pas vrasjes u arratis nga vendngjarja. Ende nuk dihen shkaqet e debatit mes tyre që përfundoi në vrasje.