Në Elbasan ndihen të pafatë që nuk janë pjesë e gjysmëfinales së Kupës, ku ruleta e penalltive dërgoi Vllazninë më tej. Për ish-futbollistin e njohur, Dhimitër Gjika, loja e ka lënë të kënaqur, ndaj një eliminim që ndodh në këtë mënyrë nuk duhet të bëjë me faj askënd.
Ai kupton edhe emocionet dhe zhgënjimin e lojtarëve, sepse i ka provuar vetë dikur në fushë. “Me rezultatin e ndeshjes së parë ishin optimistë për një rezultat pozitiv dhe kualifikim në Shkodër. Shkoi ndeshja deri te penalltitë dhe aty hyjnë në lojë më pas emocionet, që vetëm lojtari i cili godet topin e kupton.
Loja më kënaqi, por më vjen keq vetëm për një moment, ku ishim në avantazh të dy penalltive dhe duhet të avanconim më tej. Ndoshta duhej një menaxhim më i mirë i atyre minutave. Megjithatë, nuk mund të vihet me faj askush, thjesht mungoi fati në këtë ndeshje dhe duhet lënë pas”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport” Dhimitër Gjika.
PARTIZANI – Ai ndalet më pas te ndeshja e së shtunës me Partizanin, ku e sheh shumë të rëndësishme sa i përket shpresave për “Final 4”. “Partizani na befasoi me Laçin. Edhe me një lojtar më pak ia doli që të kualifikohej në Kupë. Për të shpresuar për një vend në katërshe, ne duhet të mundim patjetër Partizanin. U bëj thirrje spektatorëve që ta mbushin stadiumin, sepse nëntë pikë nuk janë shumë. Jemi në fushën tonë dhe duhet t’i mundim.
Partizani tani do luajë në dy fronte, ndërsa ne vetëm për kampionat, duke qenë më të lirshëm. Janë edhe shumë ndeshje në tavolinë dhe Elbasani duhet ta tentojë deri në fund”, vijoi më tej ish-futbollisti i Elbasanit. Në vijim, ai thekson se, edhe nëse nuk arrihet katërshja, nuk ka vend për kritika, pasi është vetëm viti i parë. Sezonin tjetër do të shihet realisht se çfarë skuadre do ndërtohet. “Jemi ekip i ri dhe për ne është gjë e madhe që pretendojnë të hyjmë në katërshe.
Po nuk hynë, nuk është dhe nuk duhet parë si dramë, sepse nuk është e lehtë të konkurrosh që vitin e parë. Ndryshon puna vitin që vjen, ku ka më shumë pjekuri, si edhe do të bëhen lëvizjet e duhura sezonin e ardhshëm nga ana e drejtuesve në merkato. Me pak fjalë, këtë kampionat çfarëdo që të arrijmë, të shihet si një eksperiencë më shumë”, pohoi Gjika.
TRAJNERI- Në fund, Dhimitër Gjika ndalet pak edhe te puna e Gvozdenoviçit, ku vlerëson paraqitjet që bën skuadra, edhe pse rezultatet nuk po vijnë.
“Trajneri i ri ka sjellë një tjetër mentalitet. Futbollistët ndihen më të sigurtë dhe luajnë më bukur, edhe pse është një ekip që nuk e ka ndërtuar vetë. Është punëtor dhe përpiqet të implementojë idetë e tij te lojtarët”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-futbollisti Dhimitër Gjika.
V.MEMA – PANORAMASPORT.AL