Si asnjëherë më parë, Eli Fara ka folur rreth jetës së saj private, duke nisur nga njohja me ish-bashkëshortin. Eli tha se e ka njohur ish-burrin në një moshë shumë të re dhe ka qenë dashuri me shikim të parë. Ata kishin filluar të dilnin, por ishin zbuluar nga familja. E turpëruar dhe e fyer, Eli kishte vendosur të largohej nga shtëpia, së bashku me të.
“Unë isha në shkollën e mesme dhe studioja për kanto dhe merrja pjesë në aktivitete kulturore. Shumë shpesh isha për prova në pallatin e kulturës dhe aty kalonin djem çapkënë korçarë. Njëri prej tyre m’u qep keq, nuk shpëtova dot.
Ishte dashuria e parë, ato emocionet e para, ndjenjat që të lindnin për dikë që nuk e di se kush është. Unë u dashurova vetëm duke parë pamjen. Ishte çun simpatik dhe nuk mendoja për të tjerat sepse isha adoleshente, nuk më interesonte se kishte një shkollë, profesion apo çfarë punonte, apo se çfarë bënte në jetë. Unë isha 17 vjeç, shumë shpejt familja e mori vesh që unë po dilja me dikë dhe u bë një shqetësim, tërmet i madh.
Jetonim bashkë të gjithë xhaxhallarët e mi, me dajën, me hallat, ishin shumë familje që rrinin bashkë dhe bëheshin me njëri-tjetrin shumë. Fisi bëri një mbledhje të madhe dhe kujtoj që u ndjeva e fyer dhe e turpëruar sepse ndoshta varet nga karakteri dhe natyra, kisha një krenari të tepruar edhe pse shumë e re dhe vendosa që nëse djali do pranonte, unë do ikja nga shtëpia. Ai u tregua i gatshëm dhe ndodhi. Sigurisht tani që jam pjekur, që kam Marinën, nuk jam krenare për atë që bëra, por janë gabime të një moshe shumë të re”, tha Eli.