Stafi teknik i Elbasanit ka punuar me intensitet gjatë gjithë javës për ta përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë për përballjen me Vllazninë. Seancat stërvitore janë zhvilluar në një atmosferë pozitive, ku futbollistët duken të motivuar dhe të karikuar për sfidën.
Gvozdenoviç ka alternuar ngarkesat fizike me skemat taktike, duke provuar disa zgjidhje në reparte të ndryshme, në mënyrë që skuadra të ketë fleksibilitet gjatë lojës. Lajmet nga infermieria janë inkurajuese. Disa lojtarë që më parë kishin pasur probleme të vogla fizike, tashmë janë rikthyer në stërvitje me grupin. Kjo i jep trajnerit më shumë mundësi zgjedhjeje dhe e afron shumë me idenë e të pasurit një formacion të plotë për duelin e rëndësishëm. Vetëm ndonjë dilemë e vogël mbetet për lojtarët që kanë pasur ngarkesë më të madhe, por sinjalet janë optimiste se shumica do të jenë gati.
Një vit më parë, pas pesë javësh të Superiores, Elbasani kishte grumbulluar vetëm 8 pikë dhe ndodhej në vendin e tretë, duke luftuar në hije për të qëndruar në zonën e sipërme të tabelës. Sot, panorama është krejt tjetër. Pas po aq javësh, verdheblutë kanë 11 pikë, tri më shumë se sezoni i kaluar dhe gjenden në vendin e parë, të vetëm dhe krenarë.
Ky progres tregon qartë rritjen e skuadrës, që jo vetëm ka mësuar nga gabimet e vitit të kaluar, por edhe ka fituar përvojë, stabilitet dhe besim. Kjo diferencë nuk është thjesht numerike: është dëshmi e një transformimi që e ka kthyer Elbasanin nga një ekip pretendent në një skuadër udhëheqëse të kampionatit.
Tabela flet vetë dhe krahasimi i bën verdheblutë të kuptojnë se këtë sezon mund të shkojnë shumë më larg, ku dihet që objektiv kanë “Final 4”. Një vit më parë e humbën vetëm në ndeshjen e fundit me Partizanin.
PANORAMASPORT.AL