Elbasani, një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, synon të ndërtojë një ekip konkurrues në vitin e dytë në Superiore. Një sipërmarrje e vështirë, por gjithsesi jo e pamundur. Ajo që po shqetëson deri më tani është pikërisht ngërçi i merkatos, në një kohë kur në klub duan që të mbyllen sa më parë afrimet, duke qenë se në fund të muajit do të nisin edhe fazën përgatitore.
Trajneri dhe stafi drejtues janë në përpjekje të vazhdueshme për të bindur elementë cilësorë t’i bashkohen ekipit, por deri më tani nuk ia kanë dalë që të zyrtarizojnë ndonjë lojtar. Për momentin, duket se me lojtarët vendës ka një ngërç dhe sytë janë hedhur përtej kufijve dhe kontinentit.
NGËRÇI ME VENDËSIT – Shumica e futbollistëve cilësorë në Shqipëri ndodhen aktualisht nën kontratë me ekipet e tyre, çka e bën të vështirë dhe të kushtueshme afrimin e tyre. Drejtuesit e Elbasanit janë në kërkim të përforcimeve të domosdoshme për të plotësuar disa reparte të dobëta, por merkatoja vendase nuk po ofron zgjidhjet e duhura. Deri më tani janë përfolur disa emra lojtarësh si përforcime të mundshme, por të gjitha kanë mbetur në vazhdën e zërave dhe për më tepër që bëhet fjalë për lojtarë nën kontratë me ekipet e tyre. Lojtarët vendës janë të parët që preferohen, por duhet parë se sa do të jetë mundësia për t’i afruar.
SHPRESAT NGA JASHTË – Kjo situatë po i detyron verdheblutë të shqyrtojnë edhe tregun jashtë vendit, megjithëse kjo kërkon më shumë kohë, burime dhe rrezik strategjik, sepse shpesh herë lojtarët që vijnë nga jashtë nuk janë në pritshmëritë që priten. Mësohet se drejtuesit kanë nisur të shohin më shumë nga tregu afrikan, ku ka një bazë të gjerë talentesh me potencial të lartë dhe kosto më të ulët. Edhe sezonin që lamë pas nuk munguan lojtarët e huaj që mbajtën një pjesë të peshëa së sezonit. Madje, në total elbasanasit patën 11 lojtarë nga porta në sulm të mbushur me të huaj. Dy prej tyre nuk janë më dhe janë nëntë të tjerë, ku, sipas të gjitha gjasave, pjesa më e madhe e tyre do të vazhdojnë qëndrimin në Elbasan, edhe për faktin se janë ende nën kontratë me verdheblutë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL