Elbasani vazhdon përgatitjet intensive për sezonin e ri dhe nga panorama që ofron grupi aktual, skuadra duket e ndërtuar me kujdes dhe mendim strategjik.
Me afrime cilësore dhe një bazë të konsoliduar, trajneri ka në dispozicion një grup të balancuar, ku çdo pozicion është i mbuluar me nga dy alternativa. Përjashtim bën vetëm qendra e mbrojtjes, e vetmja pikë që vijon të kërkojë një përforcim emergjent.
PORTA – Në portë, Martin Janaçek shihet si titullar për momentin në katërkëndëshin elbasanas. Portieri çek ende nuk është provuar në fushë me kundërshtarët, por do të ketë testet miqësore për të parë formën nga afër. Ndërsa Totoshi dhe Gega ofrojnë një alternativë të sigurt dhe të besueshme për çdo rast. Kjo treshe siguron stabilitet në një nga pikat më kyçe të skuadrës.
MBROJTJA – Në krahët e mbrojtjes, Elbasani duket për momentin i mbuluar. Musta dhe K. Kasa janë opsione në krahun e majtë, ndërsa Lila dhe Lajthia operojnë në të djathtën. Të gjithë lojtarë me minuta në këmbë përgjatë sezonit që lamë pas dhe me aftësi të ndryshme taktike, çka i jep trajnerit mundësinë të përshtasë skemën në varësi të kundërshtarit.
Të katërt ata mund të luajnë në krahët e mbrojtjes, por edhe të hedhin vështrimin në sulm nëse është e nevojshme. Në qendër të mbrojtjes, aktualisht ndodhen vetëm tre lojtarë: Olberkis, një shtyllë e vërtetë në repartin defensiv, kapiteni Lulaj dhe Azemoviç, që në letër është alternativë, sepse vjen pas një sezoni pa luajtur për shkak dëmtimi.
Mungesa e një emri tjetër të pastër në këtë rol krijon një boshllëk taktik që mund të bëhet problematik kur nis sezoni dhe ngarkesa e ndeshjeve rritet. Kjo është edhe arsyeja pse drejtuesit janë vënë në lëvizje për të afruar një qendërmbrojtës të specializuar, i cili do të plotësonte mozaikun në fazën mbrojtëse.
MESFUSHA – Reparti i mesfushës është ndoshta më i pasuri në skuadër. Dros, Dialo, Ibrahim, Qose, A. Kasa dhe Ibraimi janë gjashtë emra për tre ose katër vende, në varësi të modulit që përdor trajneri. Ka dublime si për rolet defensive, ashtu edhe për ato më krijuese. Ky repart premton shumë, sidomos në lidhjen mes mbrojtjes dhe sulmit dhe do të jetë një mision më vete për Gvozdenoviç që të gjejë lojtarët më të përshtatshëm dhe që t’u marrë maksimumin.
SULMI – Në fazën ofensive, ka një “mbipopullim” të kontrolluar. Ze Gomesh, Ben Shimon, Joel, Loukili, Arsen Lleshi dhe Blaise Tsague janë gjashtë lojtarë për tri role në majën e sulmit. Të gjithë me karakteristika të ndryshme: disa më fizikë, disa më teknikë apo të shpejtë në kundërsulm. Kjo garë e fortë pritet të rrisë nivelin dhe intensitetin në çdo ndeshje. Në krahët e sulmit apo në rolin e 10-shes ka gjithashtu alternativa që garantojnë kreativitet dhe rotacion të nevojshëm gjatë sezonit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL