“Për Sportin, për Qytetin, për Elbasanin”
Të dielën në orën 13:00 në “Elbasan Arena” luhet përballja midis AF Elbasanit dhe Pogradecit, dy ekipet që aktualisht ndajnë kreun e klasifikimit në Grupin B të Kategorisë së Dytë, një sfidë vendimtare për ecurinë e këtij sezoni. Verdheblutë e drejtuar nga trajneri Gentian Stojku kanë pasur një ecuri mbreësëlënëse këtë edicion, teksa në 12 takime, kanë fituar 10 dhe barazuar 2, duke mos njohur asnjë humbje. Madje, që nga krijimi i saj në Qershor të vitit 2021 dhe më pas me pjesëmarrjen në kampionatin e Kategorsië së Tretë, AF Elbasani është e vemtja skuadër e futbollit profesionist shqiptar që nuk njeh asnjë humbje në takimet zyrtare.
Me mbështetjen e Bashkisë dhe biznesve vendase, kjo skuadër po bën krenar të gjithë sportëdashësit elbasanas. Një ecuri fantastike, e cila ka ardhur edhe në sajë të mbështetjes së tifozëve, të cilët e kanë ndjekur këtë skuadër në të gjitha ndeshjet, si një shtëpi, ashtu edhe në transferta. Të dielën, më shumë se kurrë skuadra ka nevojë për “lojtarin e 12”, për të qenë gjatë gjithë kohës në mbështetje të lojtarëve në fushë, të cilët po bëjnë të mundur rikthimin e skuadrës aty ku duhet, duke rikthyer njëkohësisht edhe entuziazmin e munguar të sportëdashësve në shkallët e stadiumit.
Këtë sezon, skuadra e AF Elbasanit ka sjellë një risi në Kategorinë e Dytë, duke mbushur stadiumet, teksa këtë të dielë numri i tyre në “Elbasan Arena” pritet të jetë sa më i madh, kjo edhe në sajë të çmimeve simbolike që kanë vendosur drejtuesit e klubit.
Të gjithë në stadium, të mbështesim AF Elbasanin, skuadrën e qytetit tonë, e cila po bën krenar me paraqitjet çdo elbasanas që e do futbollin.