Elbasani po tregon se është një grup i bashkuar ku çdo fitore ndërtohet mbi punën, përkushtimin dhe besimin e ndërsjellë. Tri fitore radhazi kanë rikthyer qetësinë dhe entuziazmin në grup, por në kampin verdheblu askush nuk e humb toruan.
Në çdo ndeshje, hyjnë në fushë për të dhënë maksimumin, pa u marrë me statistika apo eufori të parakohshme. Një nga protagonistët e kësaj ecurie pozitive është Xhonatan Lajthia, autori i golit të vetëm në fitoren 1-0 ndaj Flamurtarit në Vlorë, që i dha ekipit tri pikë tepër të rëndësishme për vazhdimësinë në kampionat.
Sulmuesi verdheblu në intervistën për “Panorama Sport jep edhe një mesazh njerëzor, duke ia dedikuar golin dy fizioterapistëve të skuadrës që së shpejti do të bëhen prindër. Lajthia flet me realizëm për formën e skuadrës, duke theksuar se Elbasani është i fokusuar ndeshje pas ndeshjeje dhe se harmonia në grup është forca më e madhe e këtij ekipi që po rritet nga java në javë. Ai e pranon se përballja e radhës me Egnatian do të jetë shumë e fortë, por premton se Elbasani, sidomos në shtëpi, do të japë gjithmonë 100%.
Lajthia, sa i kënaqur jeni nga ky gol dhe fitorja?
E kam pritur shumë këtë moment, pavarësisht se nuk ka ardhur. Gjithmonë kam dhënë maksimumin. Kur je 100% edhe zoti ta shpërblen, falënderoj shokët dhe shpresoj të vazhdojmë me fitore. Kemi një grup shumë të mirë.
Kujt i dedikohet ky gol?
Ky gol i dedikohet dy fizioterapistëve tanë, Landit dhe Anisit, që së shpejti do të bëhen baballarë. Uroj që t’u ecë gjithçka mirë. Po ashtu, dua t’ia dedikoj edhe tifozëve tanë, që janë gjithmonë pranë nesh dhe na japin një mbështetje të madhe, sidomos në momentet më të vështira. Sa të rëndësishme ishin këto tri pikë në Vlorë? Ishte një fitore shumë e rëndësishme, vazhdim i ecurisë pozitive që kemi pasur në dy ndeshjet e fundit. E dinim që do të ishte një sfidë e vështirë, sepse Flamurtari ka një ekip cilësor dhe luan mirë në fushën e vet.
Por ne u përqendruam, luajtëm me disiplinë dhe arritëm të marrim tri pikë që vlejnë shumë për moralin dhe objektivat tanë.
Tri fitore radhazi, a është ky momenti kulminant i ekipit?
Nuk mendojmë për kulme apo seri, sepse në futboll gjithçka ndryshon shpejt. Ne mundohemi t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të përqendrohemi vetëm te përballja e radhës. Kjo është mënyra më e shëndetshme për të ecur përpara dhe për të ruajtur ekuilibrin.
Çfarë ka më shumë Elbasani i këtij sezoni krahasuar me edicionin e kaluar?
Mendoj se kemi më shumë bashkim dhe harmoni. E njohim më mirë njëri-tjetrin, kemi më shumë besim te shoku i skuadrës dhe kjo na ndihmon shumë në fushë. Është një grup që po forcohet si familje dhe kjo ndjehet në çdo ndeshje.
Ndeshja e radhës me Egnatian, si e prisni?
E dimë që Egnatia është një kundërshtar i fortë, me shumë cilësi në çdo repart. Por ne jemi Elbasani dhe, sidomos në shtëpinë tonë, hyjmë në fushë për të dhënë 100%. Do të përpiqemi të vazhdojmë këtë formë të mirë, me përulësi dhe shumë punë.
PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.