Bashkia Elbasan vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje, me qëllim që t’i rikthehen qytetarëve çdo cep i zaptuar padrejtësisht.
Ky proces është pjesë e një fushate të qëndrueshme për rregull dhe respekt ndaj hapësirave të përbashkëta.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se angazhimi për mbrojtjen e hapësirave publike është i pandalshëm dhe do të vijojë me vendosmëri.
“Ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis kur bëhet fjalë për hapësirat publike. Ato janë të qytetarëve dhe për qytetarët. Falenderoj bizneset që bashkëpunuan menjëherë dhe liruan vullnetarisht hapësirat e zëna. Për rastet ku bashkëpunimi mungon, ekipet tona janë në terren dhe po veprojnë sipas ligjit,” – u shpreh Llatja.
Ai theksoi se Bashkia Elbasan mbetet partner i biznesit, por në çdo rast prioritet ka interesi publik.
“Ne jemi mbështetës të biznesit, por asnjëherë në kurriz të qytetarëve dhe qytetit tonë,” – shtoi kryebashkiaku.
Ky aksion synon të krijojë një qytet më të rregullt, më të sigurt dhe më të jetueshëm për të gjithë.