“Elbasani Plus” shpallet “Portali i Vitit” në Çmimet Vjetore të Gazetarisë 2025

Portali informativ “Elbasani Plus” është shpallur “Portali i Vitit” nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë – Dega Elbasan, në kuadër të pritjes tradicionale të organizuar me rastin e festave të fundvitit, ku u ndanë Çmimet Vjetore të Gazetarisë për vitin 2025.
Në këtë mbrëmje vlerësimi, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë – Dega Elbasan nderoi punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e gazetarëve dhe punonjësve të medias në të gjitha bashkitë e Qarkut Elbasan, duke theksuar rolin thelbësor të medias në informimin e publikut dhe forcimin e demokracisë lokale.


Çmimi “Portali i Vitit” iu akordua portalit “Elbasani Plus”, një media që operon prej 15 vitesh në treg dhe që prej ditës së parë e deri më sot mban statusin e portalit më të klikuar në qytetin e Elbasanit. Aktualisht, portali regjistron mbi 10 mijë shikime ditore, duke dëshmuar besimin e publikut dhe ndikimin e tij të vazhdueshëm në opinionin qytetar.
Vlerësimi u dorëzua nga deputeti i qarkut Elbasan, z. Agron Gaxho, ndërsa çmimin e mori Administratori i portalit, z. Renato Haxhiaj, i cili u shpreh mirënjohës për këtë vlerësim që konsiderohet si kurorëzim i një pune të gjatë dhe të pandërprerë në shërbim të informimit korrekt.

Ceremonia u zhvillua në praninë e personaliteteve të rëndësishme të jetës publike dhe mediatike, mes të cilëve kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, deputeti, z. Agron Gaxho, kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Florenc Doka, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, si dhe analisti i njohur z. Mentor Kikia.


Unioni i Gazetarëve Shqiptarë – Dega Elbasan drejtohet nga gazetari i njohur Fatmir Popja, i cili ka marrë këtë detyrë vetëm katër muaj më parë, por që në një kohë të shkurtër ka arritur të konsolidojë aktivitetin e degës dhe të rikthejë vëmendjen institucionale ndaj vlerësimit të gazetarëve dhe mediave lokale, duke promovuar standarde profesionale dhe etikë në gazetari.
Çmimi për “Elbasani Plus” shihet si një vlerësim i merituar për një media që ndër vite ka ruajtur koherencë, besueshmëri dhe afërsi me qytetarët, duke u kthyer në një pikë referimi për informimin e përditshëm në Elbasan.