U nënshkrua marrëveshja për themelimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, një instrument strategjik që synon forcimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, rritjen e kapaciteteve profesionale të administratës lokale dhe përgatitjen e pushtetit vendor për procesin e integrimit europian.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, si edhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan, znj. Ermira Urupi, të cilët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe investimit në zhvillimin profesional të burimeve njerëzore në nivel vendor.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Llatja, theksoi se ngritja e Akademisë përfaqëson një hap konkret drejt rritjes së cilësisë së qeverisjes vendore dhe përmbushjes së standardeve europiane, duke e bërë administratën lokale më efikase dhe më pranë qytetarëve.
Akademia e Pushtetit Vendor do të funksionojë si një platformë kombëtare trajnimi dhe zhvillimi profesional, në përputhje me standardet europiane dhe në shërbim të përmirësimit të shërbimeve publike për qytetarët.
Bashkia e Elbasanit mbetet e angazhuar në mbështetjen e nismave që kontribuojnë në forcimin e qeverisjes vendore dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Të pranishëm në prezantimin zyrtar të Akademisë së Pushtetit Vendor ishin edhe ambasadorët e Suedisë, Zvicrës dhe Hollandës, shtete që kanë ndihmuar shqipërinë në rritjen dhe fuqizimin e pushtetit vendor.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.