Tek Elbasani nuk ka qetësi në këtë fund të 2024-ës. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se klubi verdheblu ka pezulluar Ardit Hilën, për shkak se ka shkelur rregulloren.
Burime të besueshme të gazetës pranë kampit elbasanas pohojnë se është marrë masë ndaj mesfushorit, duke e pezulluar atë pa afat. Nuk bëhet e ditur se çfarë shkeljeje ka bërë konkretisht lojtari, i cili është një nga titullarët kryesorë të ekipit verdheblu. Pezullimi nuk ka të bëjë me performancën e tij në fushë, por për veprimet jashtë saj, që konsiderohen thyerje e rregullores.
Për këtë arsye Hila nuk figuronte fare në protokollin e ndeshjes së fundit me Vllazninë në Shkodër, ku Elbasani humbi 2-1. Mesfushori 31-vjeçar deri tani ka luajtur në 12 ndeshje kampionati, duke numëruar 851 minuta në këmbët e tij, ndërkohë që ka shënuar edhe dy gola për elbasanasit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL