Elbasani vazhdon të jetë aktiv në merkato dhe një nga objektivat kryesorë të klubit është përforcimi i repartit difensiv. Klubi verdheblu ka shfaqur interes konkret për mesfushorin-mbrojtës të Dukagjinit, Erlis Xhemajli, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij në elitën e futbollit kosovar.erlis-2Xhemajli, një lojtar me profil modern, i aftë të luajë si qendërmbrojtës dhe shkatërrues para mbrojtjes, shihet si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën që po ndërtohet në Elbasan për sezonin e ri. Pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime konkrete në lidhje me një marrëveshje mes palëve. Elbasani e sheh 24-vjeçarin si një lojtar me eksperiencë në nivele të larta në Kosovë, që mund të sjellë siguri dhe konkurrencë në prapavijë. Për momentin nuk ka ende një akord zyrtar, por kontaktet mes palëve janë në rrugë të mbarë. Klubi është i vendosur të bëjë një merkato cilësore dhe Xhemajli është një nga emrat më të lakuar në listën e dëshirave.
KONKURENCA – Megjithatë, konkurrenca për shërbimet e Xhemajlit është e fortë. Burimet bëjnë me dije se interes për të kanë shfaqur katër klube shqiptare: Elbasani, Flamurtari, Dinamo dhe Partizani. Nga këto, më i avancuari duket Flamurtari, i cili jo vetëm ka bërë hapa konkretë, por ka dorëzuar edhe një ofertë zyrtare në drejtim të tij. Elbasani nuk ka hequr dorë dhe po përpiqet të përfitojë nga fakti që lojtari ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Klubi po mundohet të bindë Xhemajlin me një projekt ambicioz dhe garanci për një rol të rëndësishëm në skuadër. Në ditët në vijim priten zhvillime të reja, por për momentin Flamurtari duket të jetë rivali më i fortë për Elbasanin në garën për firmën e mbrojtësit kosovar.
KARRIERA – Erlis Xhemajli është një nga mesfushorët më të spikatur të futbollit kosovar në vitet e fundit. 21-vjeçari aktualisht është pjesë e Dukagjinit, ku gjatë sezonit të fundit ka zhvilluar 29 ndeshje, duke kontribuar me 1 gol dhe 1 asist, statistika që tregojnë jo vetëm për sigurinë e tij në prapavijë, por edhe për kontributin në fazën ofensive kur i jepet mundësia. Përpara se të transferohej te Dukagjini, Xhemajli ka qenë pjesë edhe e Gjilanit, një tjetër klub me traditë në Superligën e Kosovës, ku hodhi hapat e parë në futbollin elitar dhe fitoi përvojë të vlefshme.
Gjatë karrierës së tij, ai ka treguar një zhvillim të qëndrueshëm, duke u rritur si lojtar në aspektin teknik dhe taktik. Kartoni i Xhemajlit vlerësohet aktualisht në 275 mijë euro, një shifër që reflekton jo vetëm cilësitë e tij si futbollist, por edhe interesin në rritje nga disa klube të njohura shqiptare. Ai ka qenë pjesë e përfaqësueses U-19 të Kosovës.
V. MEMA-PANORAMASPORT.AL