Elbasani nis të dielën turin e forcës. Përballë do të kenë kampionët në fuqi dhe kryesuesit e këtij sezoni, Egnatian.ELBASANIVerdheblutë vijnë gjithashtu pas disa rezultatesh pozitive në këto pesë javë të para, ku ndajnë vendin e tretë me Partizanin me tetë pikë, dy më pak sesa rrogozhinasit dhe Vllaznia që ruajnë kryesimin.
Në rast të një triumfi elbasanasit do të kenë mundësinë t’i parakalojnë dhe mund të jenë në krye, ndaj kjo përballje shihet si tepër e rëndësishme në kampin verdheblu. Ndonëse vijnë me petkun e një ekipi të sapongjitur në elitë, paraqitjet e javëve të para japin shpresë se mund të jenë ndër pretendentët e këtij sezoni. Edhe ndeshja kundër Tiranës, të cilën elbasanasit e humbën në fund shansin për të dalë me tri pikë, skuadra tregoi se ka potencial dhe nuk e ka “inferioritetin” e një ekipi që vjen nga një kategori më poshtë dhe e ka të vështirë të ecë me hapin e ekipeve elitare.
TURI I FORCËS – Deri më tani, në këto pesë javë të para, elbasanasit kanë pasur përballë skuadra që kanë pasur problemet e tyre të konsolidimit dhe deri diku kanë pasur një kalendar të favorshëm. Në një farë mënyre ose tjetër është shfrytëzuar disi, ndonëse ka ende keqardhje për ndonjë pikë të lënë rrugës, që do t’i jepnin mundësinë pse jo të ishin edhe në krye tani. Gjithsesi, tani nisin ndeshjet me pretendentët, në të cilët do të shihet se deri ku mund të shkojnë verdheblutë.
E thënë më ndryshe, ndeshjet që do të tregojnë forcën reale të ekipit. Thuhet kështu, pasi nga katër përballjet e mbetura të kësaj faze, tre janë me ekipet që kryesojnë: Egnatia, Vllaznia dhe Partizani. Në mes tyre është edhe Bylisi në transfertë, ku dihet që Ballshi është për të gjitha skuadrat një ndër fushat më të vështira të Superiores. Jashtë fushe do të kenë edhe sfidën me shkodranët, ndërsa në fund të fazës do të presin të kuqtë në “Elbasan Arena”. Katër ndeshje “zjarr”, ku ndonëse bëhet fjalë vetëm për fazën e parë, do të jenë një tregues në mbyllje të saj.
GJENDJA – Elbasani shpreson të rikuperojë në kohë lojtarët që lanë lojën të dëmtuar në përballjen e fundit me Tiranën, siç janë Arsen Kasa, Ze Gomesh dhe Edon Hasani. Pa harruar se në infermieri kanë edhe një lojtar tjetër, siç është sulmuesi Amarildo Gjoni. Gjithsesi, nga ana tjetër, tekniku Roberto Bordin mund t’i gëzohet faktit se pak e nga pak po i rikthehen në skuadër dhe me kohë të plotë lojtarët që kanë pasur dëmtime të mëhershme si Bruno Telushi, Esin Hakaj apo edhe Kristi Qose. Shpresohet vetëm që në vijim të kampionatit, italiani ta ketë grupin sa më të plotë, në mënyrë që të hedhë në fushë formacionin më të mirë që ka.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL