Biblioteka Publike Elbasan Qemal Baholli, ka çelur rubrikën më të re virtuale me titull “Elbasani në shkrim dhe shpirt”, një hapësirë e dedikuar autorëve, studiuesve, eseistëve, artistëve, filantropëve dhe koleksionuesve elbasanas.
Qëllimi i kësaj nisme është të mbajë gjallë kujtesën kolektive të qytetit, duke risjellë për publikun ngjarje, vende, personazhe dhe histori që i përkasin Elbasanit. Kjo do të realizohet përmes shkrimeve, krijimeve dhe botimeve të tyre, si në formë virtuale, ashtu edhe fizike.
Biblioteka e konsideron ruajtjen, arkivimin dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar lokale si një pjesë thelbësore të misionit të saj kulturor, duke e lidhur atë me trashëgiminë kombëtare dhe më gjerë. Rubrika e re vjen si përgjigje ndaj këtij vizioni, duke ofruar një hapësirë të pasur për kujtesën dhe identitetin kulturor të Elbasanit.