Bashkia Elbasan iu bashkua nismës kombëtare “Male të Pastra”, me një aksion pastrimi në tre nga zonat më të dashura të qytetit: Gjinarin, Krastën dhe Funarin.
Në këtë nismë, përveç strukturave të bashkisë, morën pjesë dhjetëra vullnetarë, kryesisht të rinj, si dhe deputetët Aulona Bylykbashi dhe Adi Qosja.
Kryebashkiaku Gledian Llatja, i pranishëm në aksion, e cilësoi këtë ditë si një shembull të përbashkët përkujdesjeje ndaj natyrës.
Ai tha se Krasta, “mushkëria e qytetit”, ashtu si edhe zonat e tjera malore, duhet të mbeten të pastra dhe të mbrojtura. “Është një ditë e veçantë ku përveç strukturave të bashkisë, na janë bashkuar edhe shumë qytetarë e të rinj që e duan pyllin dhe gjelbërimin. Bashkë po japim një mesazh të qartë për një ambient më të shëndetshëm e më të pastër.”
Llatja dha edhe një apel sensibilizues për qytetarët, “duhet ta mbajmë të pastër natyrën dhe zonat pyjore. Të kemi kujdes sidomos kur bëjmë zgara, të mos i rrezikojmë me zjarre dhe të mos i ndotim me papastërti. Vetëm kështu do të kemi një qytet më të gjelbër për brezat që vijnë.”
Ky angazhim i përbashkët i institucioneve, deputetëve, të rinjve dhe qytetarëve tregon se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm detyrë, por përgjegjësi qytetare.