Në një takim të zhvilluar me përfaqësues të Hekurudhës Shqiptare dhe grupin e konsulentëve të Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (IPF12), u diskutuan detajet e studimit dhe projektit teknik për linjën hekurudhore Rrogozhinë–Pogradec, një nga korridoret më të rëndësishme transportuese në zhvillim. Në këtë projekt strategjik, Elbasani zë një rol kyç, si nyje e rëndësishme në lidhjen rajonale dhe kombëtare.
Sipas parashikimeve teknike, linja e re hekurudhore do të mundësojë trena elektrikë me shpejtësi deri në 120 km/orë, duke rritur ndjeshëm cilësinë e transportit, lëvizshmërinë e qytetarëve dhe potencialin ekonomik të zonës. Projekti vjen në vijim të zhvillimeve të mëdha infrastrukturore të qytetit, siç është edhe Bypass-i i Elbasanit.
Lidhur me rëndësinë e këtij investimi, Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh:
“Elbasani është pjesë e projekteve transformuese që po ndryshojnë hartën e lëvizshmërisë dhe zhvillimit në vend. Linja hekurudhore Rrogozhinë–Pogradec do t’i japë qytetit tonë një shtysë të re, duke forcuar lidhjet rajonale, rritur aksesin dhe krijuar më shumë mundësi për komunitetin. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës dhe rritjes së ekonomisë lokale.”
Projekti pritet të sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e transportit, turizmit dhe ekonomisë së Elbasanit, duke e pozicionuar qytetin si një pikë strategjike në rrjetin hekurudhor të rajonit.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.