Elbasani nderon 112 vite histori sportive, vlerësohen 20 figura emblematike të sportit qytetas

Në një atmosferë solemniteti, emocionesh dhe krenarie qytetare, Elbasani përjetoi një tjetër mbrëmje të veçantë që tashmë është kthyer në traditë.

Drejtoria e Sporteve dhe Kulturës pranë Bashkisë Elbasan, nën drejtimin e drejtorit Artin Kovaçi, organizoi mbrëmjen gala të ndarjes së pllakatave të mirënjohjes për 20 personalitete të sportit elbasanas, figura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë sportive të qytetit dhe më gjerë.

Kjo ceremoni nuk ishte thjesht një akt formal dekorimi, por një moment reflektimi dhe falënderimi për breza të tërë sportistësh, trajnerësh dhe kontribuuesish që me pasion, sakrificë dhe përkushtim kanë ngritur emrin e Elbasanit në arena lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Më e madhe se gjithçka është mirënjohja e qytetit tonë, për ne, për mua është kulmi. Kështu që i falenderoj të gjithë elbasanllit që kanë ndjekur ndeshjet tona e na kanë ndjekur nder vite”, u shpreh sportistja.

“Na bëhet qefi që ne veteranet shohim brezin e vjetë, e kështu duhet që çdo vit të kujtohet ky brez se e mira e sportit kështu është”, tha një tjetër sportiste.