Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar me unanimitet akordimin e një fondi prej 3 milionë lekësh të rinj për Bashkinë Gramsh, pas situatës emergjente të shkaktuar nga zjarret në muajin gusht, të cilat prekën disa fshatra të Njësisë Administrative Skënderbegas.
Ky vendim synon mbështetjen e menjëhershme të Bashkisë Gramsh për përballimin e kostove të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia, lehtësimin e barrës financiare që solli emergjenca, si dhe rikuperimin e një pjese të dëmeve në territorin e saj.
Zjarret shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke cenuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe pasuritë e tyre. Për këtë arsye, në frymën e solidaritetit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, Bashkia Elbasan ka vlerësuar të domosdoshme ndarjen e këtij fondi, si një akt bashkëpunimi dhe ndihme reciproke për përballimin e fatkeqësive natyrore.
