Në futbollin modern thuhet se loja nis e mbaron në mesfushë. Për këtë arsye, tek Elbasani është vendosur një vëmendje e veçantë në ndërtimin e këtij reparti, që shpesh konsiderohet si shtylla kurrizore e skuadrës.
Ekipi verdheblu ka në dispozicion pesë lojtarë me karakteristika të ndryshme për të mbuluar rolet në qendër të mesfushës: Kristian Dros, Abas Ibrahim, Arsen Kasa, Kristi Qose dhe Donart Ibraimi. Janë lojtarë që luajnë përpara mbrojtjes apo edhe të avancuar, por gjithnjë me tiparet për të mbuluar qendrën. Futbollistë me aftësi si për të shkatërruar aksionet kundërshtare, ashtu edhe për të ndërtuar lojën përpara. Ky përqendrim cilësie në një sektor ka krijuar konkurrencë të fortë, që për momentin është ende e hapur. Askush nuk e ka të sigurt vendin e titullarit, ndonëse trajneri Ivan Gvozdenoviç duket se ka një dyshe të preferuar, të paktën në fazën përgatitore dhe në miqësoret e para.
QOSE – KASA NË AVANTAZH – Në skemat e trajnerit serb, më të avantazhuarit deri më tani kanë qenë Kristi Qose dhe Arsen Kasa. Qose është lojtari me përvojën më të madhe në këtë grup, me eksperiencë dhe një prani fizike që i jep siguri fazës ndërtuese. Ai di të lexojë mirë aksionet dhe të japë ekuilibër. Në krah të tij, Arsen Kasa përfaqëson profilin e mesfushorit modern “box to box”, me shpejtësi, teknikë dhe instinkt për të shtyrë topin përpara. Bashkë formojnë një dyshe të ekuilibruar, që për momentin e ka bindur stafin teknik. Por asgjë nuk është e sigurt. Në stol janë tre lojtarë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment: Kristian Dros, me aftësinë për të diktuar ritmin e lojës; Abas Ibrahim, i ri, eksploziv dhe me të ardhme premtuese dhe Donart Ibraimi, një mesfushor punëtor, i cili nuk kursen veten dhe mund të mbulojë më shumë se një rol në mesfushë.
LUKS I DOMOSDOSHËM – Të kesh pesë lojtarë të nivelit të mirë për dy vende në formacion nuk është vetëm luks, por domosdoshmëri për një skuadër si Elbasani, që kërkon të stabilizohet në elitën e futbollit shqiptar dhe të synojë rezultatet. Një kampionat i gjatë, me shumë ndeshje të vështira, kartonë dhe dëmtime të mundshme, kërkon një grup të gjerë dhe të gatshëm. Për më tepër, gara e brendshme rrit cilësinë e stërvitjes dhe nivelin e përqendrimit. Për Gvozdenoviçin, kjo është një dilemë e ëmbël. Nga njëra anë, duhet të mbajë të kënaqur gjithë lojtarët, por nga ana tjetër duhet të bëjë zgjedhjet e duhura në çdo ndeshje. Sido që të vendosë, një gjë është e qartë: suksesi i Elbasanit këtë sezon do të kalojë nga ecuria e këtij reparti. Mesfusha e qendrës është zemra e ekipit dhe forma e saj do të përcaktojë nëse ky Elbasan do të jetë thjesht një skuadër e qëndrueshme apo një pretendente e heshtur për më shumë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL