Bashkia Elbasan dhe organizata Save the Children në Shqipëri organizuan sot aktivitetin kushtuar 25-vjetorit të përshtatjes së Konventës së të Drejtave të Fëmijës në gjuhën shqipe nga vetë fëmijët, një nismë unike e lindur në qytetin e Elbasanit, përmes Grupit të Fëmijëve 16+, me mbështetjen e institucioneve vendore dhe Save the Children.
Ky përvjetor shënon një moment të veçantë reflektimi mbi kontributin e pazëvendësueshëm që ka pasur kjo nismë në rritjen e njohjes dhe zbatimit të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, si dhe në forcimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në vendimmarrje.
Aktiviteti mblodhi së bashku ish-anëtarët e Grupit të Fëmijëve “Zëri 16+” të viteve 2000, të cilët 25 vite më parë kontribuan në shkrimin e Konventës në një gjuhë të thjeshtë, miqësore dhe të kuptueshme për fëmijët, anëtarë aktualë të grupit, si dhe përfaqësues të Bashkisë Elbasan, mësues, prindër, partnerë të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë lokalë.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, u rikthyen kujtime, u ndanë emocione dhe reflektime të çmuara mbi punën 25-vjeçare dhe rrugëtimin e filluar në Elbasan, për ta sjellë Konventën më afër fëmijëve. Ish anëtarët e grupit, sot të rritur, profesionistë në fusha të ndryshme apo të angazhuar sërish pranë Save the Children, ndanë historitë e tyre personale dhe mesazhe domethënëse mbi rëndësinë që ka pasur kjo nismë në jetën e tyre dhe në komunitet.
Ata folën për procesin e rishkrimit të Konventës në një gjuhë të thjeshtë dhe të lehtë për t’u kuptuar, përmes “gjuhës së fëmijëve”, në mënyrë që çdo fëmijë të mund ta lexojë, ta kuptojë dhe ta ndiejë si dokument që i përket atij personalisht.
Koordinatorja e projektit të Save the Children, njëherësh ish-anëtare e grupit që mori pjesë në rishkrimin e Konventës 25 vite më parë, Soela Kotherja drejtoi dhe moderoi këtë aktivitet emocionues, duke sjellë ndërthurur kujtesën, eksperiencën dhe angazhimin e sotëm profesional në fushën e të drejtave të fëmijëve.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te rëndësia e respektimit dhe zbatimit të të drejtave të fëmijëve në praktikë.
Ai theksoi se të flasësh për të drejtat e fëmijëve është një temë e gjerë dhe e ndjeshme, por mbi të gjitha është një detyrim që kërkon veprim konkret çdo ditë. Llatja nënvizoi se Bashkia Elbasan ka krijuar një eksperiencë të mirë bashkëpunimi me Save the Children,si edh eme organizata të tjera, të cilën po e forcon vazhdimisht përmes nismave të përbashkëta në fusha të ndryshme, me qëllim që çdo fëmijë të ndihet i informuar, i mbrojtur dhe i përfshirë.
Ai solli në vëmendje një sërë investimesh të ndërmarra nga Bashkia Elbasan, si rikonstruksioni i kopshteve dhe shkollave, përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe sociale, si dhe kujdesi i shtuar për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët me sindromën Down dhe fëmijët në rrugë, përmes bashkëpunimit me organizata të ndryshme që veprojnë në Elbasan. Llatja theksoi se vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe zonave rurale më të thella, ku dikur mentaliteti ka qenë më i mbyllur, duke u përpjekur të çohen atje shërbime, informacion dhe mundësi të reja për fëmijët dhe familjet e tyre.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, ky aktivitet shërbeu jo vetëm si festë, por edhe si një moment reflektimi mbi rrugën e bërë dhe sfidat që mbeten përpara, duke dëshmuar se zëri i fëmijëve, kur dëgjohet dhe mbështetet, ka fuqinë të sjellë ndryshime të qëndrueshme në komunitet.
Bashkia Elbasan dhe Save the Children në Shqipëri shprehën vullnetin për të vijuar këtë partneritet në funksion të mbrojtjes, fuqizimit dhe pjesëmarrjes aktive të çdo fëmije, duke e parë këtë 25-vjetor jo si pikë mbylljeje, por si një nisje të re për angazhime edhe më të mëdha në të ardhmen.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.