Tuesday , June 10 2025

Elbasani, këtë vit për trofe madhorë

Pas një rikthimi dinjitoz në Kategorinë Superiore pas viteve në hije, Elbasani e mbylli sezonin 2024-2025 me kokën lart, duke garantuar qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar dhe duke i shkuar shumë pranë madje edhe vendit të katërt që do t’i dërgonte në Europë.elbasaniTashmë, verdheblutë nuk janë më “të sapoardhurit” me një vit eksperiencë në elitë, teksa klubi hyn në sezonin e dytë me pritshmëri më të mëdha, qasje më ambicioze dhe një kërkesë të qartë: përmirësim. Sezoni i dytë në Superiore nuk do të jetë më eksperiment, është koha për të treguar që Elbasani e ka vendin mes më të mirëve, jo vetëm për histori, por edhe për cilësi aktuale. Me një merkato të goditur, një grup të konsoliduar dhe një qytet të tërë në mbështetje, Elbasani hyn në sezonin 2025- 2026 me një fjalë kyçe në mendje: ambicie.

AMBICIA – Elbasani ka treguar se nuk do të jetë thjesht një “vizitor” në Superiore. Ambicia është e dukshme, jo vetëm për të qëndruar, por për t’u rritur vit pas viti. Të paktën kjo ka qenë motoja e drejtuesve verdheblu edhe pas mbylljes së këtij sezoni. Duan të ngjiten shkallë-shkallë deri kur të arrijnë drejt objektivit final, siç është fitimi i titujve. Me një qytet të tërë pas skuadrës dhe një histori të pasur futbolli, verdheblutë janë duke investuar në një projekt afatgjatë, ku merkatoja e këtij viti shihet si gur themeli për të realizuar ambiciet që kanë. Nëse përforcimet e planifikuara realizohen me sukses, Elbasani mund të kthehet në një nga surprizat pozitive të sezonit të ardhshëm në Superiore. Për momentin, në klub i kanë idetë e qarta sa i përket ndërtimit të një skuadre që të luftojë për trofe madhorë në vendin tonë.

TIFOZËT – Në qytetin e Elbasanit, fryma është pozitive, por jo pa kërkesa. Tifozët verdheblu kanë qëndruar pranë ekipit edhe në momentet e vështira, por tani kërkojnë që skuadra të bëjë hapin e radhës. Ndërtimi i një grupi më konkurrues, rritja e standardit të lojës dhe një vend në Europë, janë pritshmëri të hapura edhe nga tribuna. Për ta, Elbasani nuk është vetëm një skuadër futbolli, është simbol i qytetit, krenari dhe identitet. Dhe pas viteve të vështira, askush nuk dëshiron rikthim prapa, me qëndrimin që nuk është më mision, por minimumi i pranueshëm. Tifozëria e ka fituar trofeun e saj në tribuna me mbushjen e stadiumeve ku ka luajtur Elbasani, ndaj këtë sezon presin nga ekipi që t’u kthejë reston. Mbetet për t’u parë nëse klubi do t’ia realizojë dot dëshirën.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL