Kampionati ka hyrë në fazën më të nxehtë, kur vendosen përfundimisht edhe fatet e çdo skuadre. Përjashtim nuk bën as Elbasani i Ivan Gvozdenoviç, i cili, me fitoren e marrë ndaj Partizanit në duelin direkt, e ka dërguar në gjashtë pikë diferencën me vendin e katërt dhe nëntë javë nga fundi janë plotësisht në lojë për të shpresuar për këtë pozicion.
ZE GOMESH TSAGUE ZHOEL
Përgjatë tri fazave, verdheblutë kanë pasur shumë ulje – ngritje, dhe do u duhet që të mos përsërisin vetveten për të qenë konkurrues. Në të kundërt, vendi i katërt do të mbesë thjesht një dëshirë.
“TRINJAKËT” E SULMIT – Deri tani, Elbasani nuk ka ditur t’u marrë maksimumin e mundshëm lojtarëve të fazës ofensive. E thënë më shkurt, sulmuesit që kanë ardhur enkas këtë merkato për të bërë golat, nuk kanë pasur pritshmërinë e duhur, të paktën sa i përket rrjetave të realizuara. Tani, për të shkuar te vendi i katërt, Gvozdenoviç ka nevojë për ata që ndryshe në Elbasan njihen si “trinjakët” e sulmit. Bëhet fjalë për Ze Gomesh, Tsague dhe Zhoel.
Tre “bishtalecët”, që njihen për modelin e njëjtë të flokëve, janë provuar vazhdimisht nga tekniku si “tredhëmbëshi” në sulm, siç ndodhi edhe ndaj Partizanit. Së bashku kanë shënuar dhjetë gola, nga pesë për Ze Gomesh dhe Tsaguen. Ndërsa Xhoel nuk e ka bërë ende sefte.
Shifrat nuk i kanë në favorin e tyre, por kanë mundësinë që në nëntë ndeshjet e mbetura të tregojnë aftësitë e tyre në fushën e lojës. Mbi të gjitha, të shënojnë për t’i dhënë mundësinë Elbasanit dhe vetes së tyre të luajnë në Europë, synimi kryesor që ka pasur klubi këtë edicion.
PRITSHMËRITË – Për të rrëmbyer vendin e katërt, verdheblutë duhet të gabojnë sa më pak në nëntë javët e mbetura. Të paktën, dy ndeshjet e para shihen si tepër vendimtare. Në letër janë kundërshtarë që kanë një bilanc pozitiv dhe që luajnë për mbijetesë. Fillimisht, të enjten do të presin në shtëpi skuadrën e Skënderbeut, përballë së cilës ka siguruar një fitore dhe dy barazime.
Më pas, janë mysafirë në Durrës, ndaj të cilëve kanë marrë shtatë pikë nga nëntë të mundshme. Megjithatë, është edhe risku i hapave fals, që do ta përmbyste tërësisht situatën dhe objektivat e elbasanasve. Për momentin, shpresohet të kalohet me sukses sfida me korçarët dhe më pas të shihet për vazhdimësinë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL