Janë 54 objekte arsimore që po lyhen në të gjithë territorin e Bashkisë, mes tyre edhe shkolla e mesme “Mahir Domi”. Janë marrë të gjitha masat për disinfektimin e ambienteve të jashtme dhe të brendshme, ka nisur shpërndarja e materialeve të pastrimit dhe në të gjitha shkollat janë vendosur sistemet e ndriçimit.
Pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vizitoi shkollën “Mahir Domi”, ku pa nga afër ambientet dhe punimet e kryera. “Këtë vit do të hapen dy shkolla të reja në Bashkinë e Elbasanit, ajo e Treganit dhe shkolla ‘Jonuz Carciu’, ndërsa shkolla 9-vjeçare ‘Fadil Gurmani’ ka përfunduar rikonstruksionin dhe është gati për të nisur vitin e ri shkollor,” deklaroi ai.
Po këtë vit, nis edhe rikonstruksioni i tre shkollave të tjera, “Naim Frashëri”, “Dhaska Todri” dhe shkollës së Shushicës. “Të treja këto, pasi të mbyllen procedurat ligjore, fillon menjëherë rikonstruksioni i tyre,” tha Llatja.
Në total, 11 shkolla po bëhen gati me rikonstruksione të pjesshme, dy kanë përfunduar tashmë, ndërsa tre të tjera janë në proces për rikonstruksion total. “Lajmi i mirë është se ne fillojmë jo vetëm me investime të mëdha për shkollat tona, por edhe me ndërhyrje të domosdoshme që përmirësojnë kushtet e mësimdhënies për nxënësit,” shtoi kryebashkiaku.
Në shkollën “Mahir Domi”, vetëm gjatë dy viteve të fundit, pas 15 vitesh, janë hapur tre klasa të reja për shkak të kërkesave në rritje të gjimnazistëve.