Wednesday , June 25 2025

Elbasani feston Ditën Botërore të Muzikës, dy net koncerte të mbushura me emocione dhe tinguj

Në kuadër të Ditës Botërore të Muzikës, Orkestra me Harqe e Elbasanit organizoi dy koncerte të hapura për qytetarët elbasanas. Aktiviteti nisi me një koncert në ambientin e Baces së Trëndafilave në qendër të qytetit, duke vijuar më pas në oborrin e Kishës “Shën Maria” në lagjen Kala.

Drejtuesi artistik, Zeqir Sulkuqi, u shpreh i kënaqur me realizimin e aktivitetit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së brezit të ri të artistëve.

“Është hera e parë që e kemi ndarë në dy net këtë festim, kemi të ftuar dy artistë të mrekullueshëm lirik, Kastriot Tushën dhe Ulpiana Aliaj dhe kemi një repertor krejtësisht të ri”, u shpreh Sulkuqi.

Për vetë artistët e vegjël, ky aktivitet ishte një përvojë frytdhënëse, që i ndihmoi të përballen me sfidën e performancës në ambiente të hapura.

“Sot luajta një pjesë të “Nocturne” të Tchaikovsky-t një pjesë e bukur dhe e luajta me kënaqësinë më të madhe”, tha një prej instrumentistëve të rinj.

Këto koncerte ishin jo vetëm një dëshmi e pasionit për muzikën, por edhe një investim emocional në të ardhmen e artit elbasanas.