Sunday , August 17 2025

Elbasani është gati për startin e sezonit, optimizmi në maksimum

Pas një faze të ngjeshur tre javore në tokën helene, Elbasani ka mbyllur kapitullin më të rëndësishëm të përgatitjeve verore dhe është rikthyer në qytetin e tij.elbasaniKampi stërvitor në Greqi ka qenë një kombinim i punës fizike, skemave taktike dhe ndeshjeve testuese, të cilat trajneri Ivan Gvozdenoviç i konsideron thelbësore për formësimin e skuadrës para nisjes së sezonit të ri në Superiore. Stërvitjet u zhvilluan në kushte optimale, me infrastrukturë moderne dhe fushë me cilësi të lartë, duke i dhënë mundësi ekipit të punonte në maksimumin e mundshëm.

MIQËSORET – Gjatë kësaj periudhe, verdheblutë u përballën në disa miqësore me ekipe të niveleve të ndryshme, duke provuar skema të reja dhe vendosje taktike të ndryshme. Në këto sfida, trajneri Gvozdenoviç nuk u fokusua te rezultati final, por te reagimi i lojtarëve, adaptimi në situata të ndryshme dhe komunikimi në fushë. Për të rinjtë, ishte një mundësi e artë për të treguar vlerat e tyre dhe për të fituar minuta nën vëzhgimin e stafit teknik. Për afrimet e reja, ishte testi i parë i vërtetë për t’u integruar në grup dhe për të fituar besimin e shokëve të skuadrës.

GRUPI, MË I BASHKUAR SE KURRË – Përtej aspektit sportiv, ky kamp shërbeu edhe për të forcuar lidhjet brenda skuadrës. Jeta e përbashkët për tre javë, oraret e sinkronizuara dhe momentet jashtë fushës i kanë afruar më shumë lojtarët me njëri-tjetrin. Atmosfera brenda grupit përshkruhet si shumë pozitive, me humor, motivim dhe dëshirë për të punuar fort. Diçka që trajneri dhe vetë klubi e ka të qartë që mund të jetë një motiv më shumë për lojtarët që të japin më të mirën e tyre në fushën e lojës.

FOKUSI ZHVENDOSET NË ELBASAN – Pas rikthimit në shtëpi, Elbasani do të vijojë përgatitjet në kushte vendase, me një program të ngarkuar në javën e mbetur para fillimit të kampionatit. Stafi teknik ka planifikuar disa seanca me intensitet të lartë, duke kombinuar punën taktike me ushtrime specifike për reparte të ndryshme. Mund të ketë gjithashtu edhe ndonjë test miqësor për të fiksuar formacionin startues të ndeshjes së parë. Objektivi i verdhebluve është i qartë: të hyjnë në kampionat të karikuar dhe të vazhdojnë rrugën e rritjes që ekipi ka treguar sezonin e kaluar në elitë.

OPTIMIZËM PARA STARTIT – Me përfundimin e fazës greke, drejtuesit dhe stafi janë të bindur se ekipi ka hedhur bazat për një sezon të suksesshëm. Përvoja e miqësoreve ndërkombëtare, puna e bërë në stërvitje dhe harmonia në grup pritet të japin frytet e veta kur të fillojnë ndeshjet zyrtare. Tifozët, nga ana e tyre, presin me padurim të shohin skuadrën në “Elbasan Arena” dhe të mbështesin verdheblutë që nga minuta e parë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL