Elbasani shpreson që të rikthehet sa më parë tek rezultatet pozitive pas humbjes me Vllazninë, që i kushtoi edhe vendin e parë.
Duket se në Elbasan, përpos mërzitjes së zakonshme pas një ndeshjeje që dalin pa pikë, e kanë lënë pas krahëve këtë moment dhe janë të fokusuar tërësisht tek sfidat e ardhshme. Seancat stërvitore po shkojnë mirë dhe Gvozdenoviç shpreson që t’i ketë në formën optimale të gjithë futbollistët për përballjen me Vorën. Ndeshje që është programuar për në 19 tetor në “Elbasan Arena” dhe që në kampin verdheblu nuk duan të bëjnë asnjë hap fals, për të mos iu shkëputur kreut.
KALENDARI ZBUTET – Pas pushimeve të shkurtra si shkak i ndeshjeve të Kombëtares, Elbasani rikthehet në fushë me shpresën për një kalendar më të zbutur deri në mbylljen e fazës së parë të kampionatit. Për verdheblutë presin tre ndeshje që, në letër, duket se mund t’u japin mundësinë për të rikuperuar besimin dhe për të konsoliduar pozitat: përballja me Vorën dhe Bylisin në shtëpi, si dhe udhëtimi në transfertë ndaj Tiranës. Të tria këto ekipe, ndodhen poshtë Elbasanit në renditje dhe duket se nuk do të jenë pretendente direkte për objektivat e “Final 4”, të paktën me aq sa shihet në këto javë të para.
Kjo i jep mundësinë trajnerit dhe lojtarëve të përqendrohen në riparimin e gabimeve, rikthimin e ritmit dhe forcimin e besimit pas dy rezultateve të dobëta që erdhën para pushimeve: barazimi në shtëpi me Teutën dhe humbja ndaj Vllaznisë. Ndeshje këto që mbi të gjitha, reflektonin një performancë të dobët të skuadrës. Dy prej tyre, Vorën dhe Bylisin i luajnë në Elbasan, ndërsa me Tiranën në kryeqytet, e cila gjithsesi mund të jetë një ndeshje më shumë e sikletshme, edhe për shkak të rivalitetit që kanë pasur shpesh këto dy ekipe. Gjithsesi, për momentin vëmendja kryesore është tek ndesha e parë me Vorën dhe më pas do të shihen dy të tjerat.
SITUATA – Në përfundim, kjo periudhë pas pushimeve mund të jetë vendimtare: një kombinim i një kalendari më të favorshëm dhe rikuperimit të besimit të skuadrës mund t’i japë Elbasanit energjinë e nevojshme për të rikthyer veten në garë, duke u përgatitur me optimizëm për sfidat e ardhshme të kampionatit. Për këtë arsye ky moment vjen në kohën e duhur për Ivan Gvozdenoviç dhe skuadrën e tij, duke u mundësuar të rregullojnë dobësitë që hasin gjatë një ndeshjeje, ku Elbasani shpesh humbet ritmin dhe intensitetin dhe të përforcojnë qëndrueshmërinë fizike dhe taktike që do të jetë kyçe për të ruajtur objektivat e vendosura në fillim të sezonit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL