Wednesday , March 12 2025

Elbasani dëshiron “Final 4”, por rrezikohet nga fundi

Elbasani është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë ditën e sotme me skuadrën e Teutës. Një përballje e vështirë, duke parë edhe pozitat e kundërshtarit në renditje, që kërkon patjetër pikë mbijetese.

Situata në kampin verdheblu nuk është shumë e qetë pas barazimit me skuadrën e Skënderbeut, ku humbën shansin për t’u afruar me “Final 4”. Megjithatë, për aq kohë sa janë në lojë edhe 24 pikë dhe diferenca për t’u rikuperuar është pesë, atëherë elbasanasit deri në fund do të përpiqen të luftojnë për t’u bërë pjesë e katërshes.

UDHËZIMET – Tekniku Ivan Gvozdenoviç ka dhënë edhe udhëzimet e fundit për ta kaluar me sukses këtë sfidë. Meraku më i madh i serbit është mospësimi i golave në minutat e para të ndeshjes. Ky ka qenë një problem i hershëm për elbasanasit këtë edicion, ku janë detyruat ta nisin sfidën në “malore” dhe më pas janë privuar nga marrja e një rezultati pozitiv. Për këtë arsye, Gvozdenoviç në analizat e bëra me skuadrën ka kërkuar kujdes maksimal në fragmentin e parë të lojës, sepse në të kundërt goli i shpejtë mund të kthehet në një problem.

Në fakt, sfidën e kaluar në Elbasan ku verdheblutë fituan 3-1, ishin durrsakët ata që shënuan shumë shpejt, por Elbasani bëri përmbysjen e madhe. Atë ndeshje kishte në skuadër sulmuesin Arsen Lleshi, i cili shënoi tripletë. Nesër në Durrës nuk e kanë në dispozicion bomberin, ku siç dihet, do të mungojë deri në fund të sezonit për shkak të një operacioni të kryer së fundmi për këputjen e ligamentit.

SITUATA – Nga njëra anë, Elbasani shpreson te “Final 4”, por, nga ana tjetër, ende nuk ka një garanci për mbijetesën. Edhe pse në pamje të parë duket se ka një siguri, duke parë ngjeshjen e shumë skuadrave në fund, mjafton një humbje për ta rifutur në “vallen” e mbijetesës.

Për këtë arsye, ndeshja me Teutën kurrsesi nuk duhet humbur, sepse edhe kalendari sa vjen e bëhet më i fortë. Megjithatë, për momentin, në Elbasan nuk janë duke parë shumë nga poshtë, pasi synimet i kanë për më lart, ndonëse diferenca me zonën e rënies dhe “Final 4” nuk është e madhe. Pesë pikë janë poshtë katërshes, ndërsa gjashtë dhe shtatë pikë mbi zonën e “play out”-it dhe rënies direkte.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL