Në përgjithësi Elbasani ka pak gjëra për t’u qortuar, duke qenë se vinte nga Kategoria e Parë dhe në debutim ishte deri në fund rivalizues për të qenë pjesë e “Final 4”.ze gomeshMjafton vetëm ky fakt për të treguar se verdheblutë e kanë lënë pas krahëve këtë edicion pa pengje, edhe pse ashtu siç shkuan gjërat mjaftonte ndonjë pikë më shumë që të ishin në një tjetër situatë aktualisht. Megjithatë, në klub tani janë të fokusuar tek ajo që i pret sezonin e ardhshëm në kampionat, ku nuk do të mjaftohen më vetëm me paraqitjet e mira, sepse në fund do të maten me trofe të fituar apo objektiva të tjerë të arritur. Në një kohë kur përgatitjet për vitin e ardhshëm nuk kanë nisur ende, kjo periudhë shërben edhe për të reflektuar dhe bërë në njëfarë mënyre bilancet e vitit që lanë pas. Një emër që ka intriguar jo pak këtë sezon, por edhe atë që e pret, është pikërisht ai i portugezit Ze Gomesh.
“DRITËHIJET” E SULMUESIT – Portugezi i skuadrës së Elbasanit u afrua në ekip si një nga futbollistët me më shumë potencial, duke parë edhe të kaluarën e tij si një ish-i Benfikës dhe Portugalisë U-21. Starti ishte mbresëlënës, sepse deri në muajin dhjetor shënoi pesë gola në tetë ndeshje dhe asistoi për shokët e skuadrës, duke u kthyer në liderin që të gjithë prisnin në Elbasan. Mirëpo, nis “saga” e dëmtimeve në dukje të lehta, që e bëjnë të humbasë disa ndeshje dhe të mos rikthehet dot në formën e tij të mëparshme.
Mjafton të thuhet se në vitin 2025 ai nuk ka shënuar asnjë gol, edhe pse u aktivizua në plot 13 takime. Pa të në formën maksimale, Elbasani vuante në sulm, duke qenë se bëhet fjalë për një futbollist që potenciali dhe talenti nuk i mungon. Gjithsesi, tani në Elbasan shpresojnë që të rikthehet sërish ai Ze Gomesh i javëve të para të kampionatit, ku shënonte, asistonte dhe bënte liderin në skuadrën verdheblu.
TË TJERËT – Ashtu si në çdo skuadër, nuk kanë munguar as në Elbasan disa lojtarë që kanë pasur oshilacione, duke ditur edhe potencialin që kanë në këmbët e tyre. Në klub shpresojnë që me nisjen e sezonit të ardhshëm, të jenë të gjithë në formën e tyre më të mirë dhe të mos shfaqin më problemet që kanë pasur vitin që lanë pas. Kuptohet që për disa prej lojtarëve që nuk kanë qenë në pritshmëritë e tyre, po bëhet gati largimi, edhe të ndonjërit që mund të jetë ende nën kontratë me klubin.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL