Këto ditë janë shumë të rëndësishme për ekipin e Elbasanit sa i përket ndërtimit të skuadrës së edicionit të ardhshëm. Janë duke u menduar për ata që do të afrojnë në merkato, por njëkohësisht për lojtarët që do të largojnë.elbasaniNdonëse për momentin duket se asgjë nuk po lëviz, nëpër tryeza është duke u diskutuar rreth kësaj çështjeje, për më tepër që verdheblutë duan të pretendojnë sërish sezonin e ardhshëm.
Deri më tani, elbasanasit kanë larguar vetëm një lojtar, portierin Razak Abalora, por kuptohet që ai do të pasohet nga të tjerë. Mësohet se rrezikojnë më shumë ata që janë në skadencë kontrate, që duket shumë e vështirë për t’iu ofruar një rinovim edhe për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë pikërisht për pesë futbollistë që në qershor kthehen në lojtarë të lirë, si: Amarildo Gjoni, Edon Hasani, Orgest Gava, Esin Hakaj dhe Harallamb Qaqi, të cilët në fakt nuk kanë pasur edhe shumë minuta në dispozicion.
GJONI – Amarildo Gjoni u afrua në merkaton e verës si një futbollist që do t’i jepte një ndihmë ekipit në fazën e sulmit. Pati minutat e tij në dispozicion, por arriti të shënojë vetëm një gol, pikërisht në javën e parafundit, ku barazuan me Vllazninë 1 me 1. U aktivizua në 30 takime me 833 minuta në këmbët e tij, ku në disa ndeshje mungoi edhe për shkak të një dëmtimi.
HASANI – Edon Hasani iu bashkua verdhebluve vitin e kaluar në Kategorinë e Parë, duke i dhënë një ndihmë për ngjitjen në Superiore. E ndoqi fati i keq në elitë, sepse dëmtimet e lanë shumë javë jashtë fushës së blertë. Ka luajtur në 14 ndeshje me 848 minuta në këmbët e tij, pa e gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës.
GAVA – Orgest Gava është i vetmi i “mbijetuar” nga ekipi që nisi rrugëtimin katër vite më parë në Kategorinë e Tretë dhe ishte kapiten i saj. Në Superiore i munguan minutat, ku madje me trajner Roberto Bordin nuk u aktivizua asnjë minutë. Gvozdenoviç i besoi në 11 ndeshje si zëvendësues me 131 minuta në fushë. E mbylli sezonin pa shënuar asnjë gol në kampionat.
HAKAJ – Esin Hakaj u afrua si një futbollist me eksperiencë të madhe mbi supe, por u privua jo pak nga dëmtimet, duke mos arritur dot formën maksimale dhe qëndruar shumë ndeshje jashtë fushe. Ai numëron 19 takime me verdheblutë dhe 1461 minuta. Edhe ai nuk arriti dot të shënojë asnjë gol për elbasanasit.
QAQI – Harallamb Qaqi gjithashtu ishte ndër ata lojtarë që nuk pati shumë minuta në dispozicion, duke qëndruar më shumë si alternativë në qendër të mbrojtjes. Me verdheblutë ai luajti në 19 ndeshje dhe 1190 minuta. 28- vjeçari arriti të shënojë një gol këtë sezon, pikërisht në humbjen 1-2 me Vllazninë.