Në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit u zhvillua për dy ditë radhazi Konferenca e Pestë e Ballkanit Perëndimor mbi Matematikën dhe Aplikimet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës. Kjo ngjarje shkencore mblodhi së bashku studiues, profesorë dhe specialistë të fushës nga Shqipëria, Kosova dhe 15 universitete të ndryshme në botë. Gjatë dy ditëve të konferencës, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë eksperiencat e tyre kërkimore përmes prezantimeve tematike, diskutimeve të hapura dhe sesioneve shkencore të fokusuara në tematika të caktuara.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, u ndal në arritjet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në fushën e kërkimit shkencor dhe në zhvillimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke theksuar rolin e projekteve të financuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përmirësimin e infrastrukturës dhe në hapjen e mundësive të reja për inovacion.