Në Qendrën Komunitare të Elbasanit u zhvillua sot një takim i hapur me përfaqësues të komunitetit, në bashkëpunim me Lëvizjen “Rome dhe Egjiptiane”. Qëllimi i këtij bashkëbisedimi ishte forcimi i dialogut me banorët, dëgjimi nga afër i mendimeve dhe nevojave të tyre, si dhe krijimi i një ure komunikimi më të drejtpërdrejtë me institucionet vendore.
Zv. Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, theksoi angazhimin e bashkisë për të mbajtur një komunikim të rregullt dhe të hapur me komunitetin, duke nënvizuar se dialogu është çelësi për rritjen e besimit dhe përfshirjes qytetare. Ai u shpreh se çdo takim i tillë është një mundësi reale për të kuptuar më mirë situatat e përditshme me të cilat përballen banorët.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe bashkëpunuese, ku pjesëmarrësit sollën përvoja, sugjerime dhe pikëpamje të vlefshme për përmirësimin e shërbimeve dhe projekteve në komunitet.
Bashkia Elbasan vlerësoi pjesëmarrjen aktive dhe energjinë pozitive të të pranishmëve, duke theksuar se angazhimi i tyre mbetet një shtyllë e rëndësishme në forcimin e marrëdhënieve mes institucionit dhe qytetarëve.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.