Elbasan/ Sistem ngrohjeje dhe infrastrukturë moderne në shkollën “Naim Frashëri”

Kanë nisur punimet për rikonstruksionin paralel të tre institucioneve arsimore në Elbasan, shkollës “Naim Frashëri”, shkollës “Dhaskal Todri” dhe shkollës së Shushicës.

Kreu i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, pohon se këto investime janë pjesë e angazhimeve të marra gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje dhe në takimet e vazhdueshme me komunitetin, ku arsimi ka qenë një nga prioritetet kryesore të kërkuara nga qytetarët.

“Nisja e punimeve në këto tre shkolla është përmbushje e një premtimi të dhënë ndaj prindërve, nxënësve dhe mësuesve. Investimi në arsim është investim në të ardhmen e qytetit,” është shprehur Llatja.

Në shkollën “Naim Frashëri”, ku mësojnë 673 nxënës, projekti parashikon përmirësimin e infrastrukturës shkollore me sisteme moderne ngrohjeje, laboratorë, sallë multifunksionale, si dhe ambiente sportive të brendshme dhe të jashtme. Po ashtu, do të krijohen hapësira të reja për t’iu përgjigjur numrit të lartë të nxënësve dhe për të garantuar kushte të denja edhe për edukimin parashkollor.

Me të njëjtin ritëm po ecin edhe punimet në shkollën “Dhaskal Todri” dhe në shkollën e Shushicës, ku ndërhyrjet synojnë modernizimin e ambienteve mësimore dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin pedagogjik.

Kreu i Bashkisë thekson se punimet po ndiqen nga afër dhe se objektivi është që nxënësit të përfitojnë sa më shpejt ambiente bashkëkohore dhe funksionale.