Elbasan–Rrogozhinë/ ARRSH nis punimet për “Eliminimim e Pikave të Zeza në rrjetin Rrugor Kombëtar”

Me një ofertë prej 62.5 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit për “Eliminimim e Pikave të Zeza në rrjetin Rrugor Kombëtar”, një ndërhyrje që synon rritjen e sigurisë rrugore në disa nga segmentet më problematike të vendit, ku janë regjistruar aksidente me pasoja të rënda.

Projekti do të zbatohet me kontratë të tipit “çelësa në dorë”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe vënien në funksion të masave të sigurisë rrugore. Ndërhyrjet janë përzgjedhur mbi bazën e të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit dhe databazës së aksidenteve, ku janë identifikuar nyje dhe segmente rrugore me rrezikshmëri të lartë.

Sipas dokumenteve të tenderit, punimet do të fokusohen në disa pika të zeza kryesore në akse të rëndësishme kombëtare, përfshirë kryqëzimin Laknas–Bërxullë në rrugën e Aeroportit, nyjen Përparim në aksin Elbasan–Rrogozhinë, nyjet Dajç–Gramsh dhe Gjadër në aksin Kthesa Balldre–Mabë, si dhe nyjen Ypsilon në hyrje të Fushë-Krujës. Këto zona janë karakterizuar nga fluks i lartë mjetesh, mungesë e elementëve të sigurisë dhe probleme gjeometrike të rrugës.