Qindra të rinj “pushtuan” teatrin “Skampa” në këto dy javë aktivitete të Maratonës Rinore. E konceptuar si një ngjarje kulturore dhe artistike që synon zbulimin e talenteve, Maratona ka aktivizuar të rinjtë e gjimnazeve, jo vetëm për të marrë pjesë, por edhe për t’u angazhuar në një konkurencë të bukur artistike mes tyre.
Bashkia e Elbasanit dhe Qendra e Artit kanë mbështetur të rinjtë në identifikimin e talenteve në këngë, aktim, kërcim etj. Aktiviteti ka rezultuar spektakolar, jo vetëm për pjesëmarrësit, por qindra e qindra mbështetës të tyre që nuk i kanë reshtur duartrokitjet.
I gjithë stafi i Teatrit Skampa është angazhuar në orë të gjata provash për të përgatitur të rinjtë në performancat e tyre në skenë.
Teatri Skampa në periudhën e Maratonës Rinore kthehet në vendin e preferuar të rinisë duke vërtetuar edhe një herë se arti ka fuqinë të fitojë mbi teknologjinë duke mbërthyer të rinjtë në emocione dhe pasionin e skenës.
Maratona Rinore nisi plot 29 vite më parë, ndërsa vit pas viti jemi përpjekur ta zgjerojmë atë duke u dhënë më tepër vëmendje dhe hapësirë të rinjve.
Maratona Rinore e Elbasanit ka identifikuar talente që sot janë emrat më të njohur të skenavë shqiptare dhe më tej.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit veçanërisht është i angazhuar që kjo maratonë të vijojë të “vjedhë” zemrat e të rinjve, duke premtuar zgjerimin e saj për ta pasur edhe më madhështore vitin e ardhshëm në 30 vjetorin e saj.
Në datën 7 Maj vjen finalja e madhe e Maratonës Rinore. Të rinjtë tanë premtojnë spektakël të paharruar.