Elbasan, qytetarët interes të madh për ekspozitën “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”

“Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” titullohet ekspozita e çelur në Elbasan nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA).

Në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit DPA-ja paraqiti për publikun një prej ekspozitave të saj më të mirëpritura, që shpalos të gjithë spektrin e veshjeve popullore të trevave shqiptare.

Mes materialeve të përzgjedhura të DPA-së, gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare), kostumeve popullore të trevave në jug, në veri të vendit, si edhe në Shqipërinë e Mesme.

Pasi la mbresa në Gjirokastër, ku u shfaq me rastin e edicionit të XI-të të Festivalit Folklorik Kombëtar, kjo ekspozitë vijoi rrugëtimin në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat, në Tropojë, në Lin, si edhe do të paraqitet në vazhdim në qytete të tjera.