Përmes një akti normativ, në mbyllje të vitit, qeveria ka vendosur të rishpërndajë rreth 50 miliardë lekë apo 500 milionë euro mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, me synimin e realizimit sa më të plotë të shpenzimeve publike për vitin 2024, ndërsa parashikohet mbajtja e pandryshuar e të ardhurave buxhetore në nivel total.
Sa i takon specifikisht shpenzimeve kapitale, ato rishikohen në ulje me rreth 18.3 miliardë lekë në total, ku projektet me financim të brendshëm pakësohen me rreth 7.1 miliardë lekë kryesisht në projekte, të cilat kanë pasur ecuri të ngadaltë dhe kanë kryer me vonesë procedurat e prokurimit.
Ndërkohë që shpenzimet kapitale me financim të huaj kredi reduktohen me 8 miliardë lekë, në reflektim të ecurisë së ngadaltë të punimeve në disa projekte, kryesisht në sektorin e mbrojtjes, ndërsa projektet me financim të huaj në formën e granteve paraqesin një kursim prej rreth 3.2 miliardë lekësh si rrjedhojë e mosrealizimit kryesisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Bujqësisë.
Nga ana tjetër, parashikohet financimin shtesë (neto) për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në masën rreth 3.6 miliardë lekë, me qëllim përballimin e nevojave për projektet me financim të brendshëm, të cilat kanë pasur ecuri të mirë fizike gjatë vitit 2024, kryesisht projektet e Unazës së Madhe të Tiranës, lotet e rrugës Elbasan – Qafëthanë etj; financim shtesë në masën 240 mln lekë për Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me qëllim blerjen e godinës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bruksel.
Fondi për bonusin e pensioneve në pranverë është akorduar në masën 6.3 miliardë lekë dhe 2.2 miliardë lekë shkojnë për mbështetjen financiare të disa kategorive vulnerabël.
Ministria e Mbrojtjes do të ketë një shtesë të fondeve në masën 1.1 mld lekë me qëllim mbulimin e detyrimeve financiare ndaj NATO-s dhe misioneve ushtarake jashtë vendit.
Shtesë fondesh në masën 1.6 mld lekë janë akorduar për Ministrinë e Brendshme, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orë jashtë orarit/dieta/karburant në kuadër të sezonit intensiv turistik.
Po ashtu është vendosur një shtesë të fondeve për AKSHI-n në masën 2.6 mld lekë, me qëllim shlyerjen e detyrimeve në kuadër të kontratave për mirëmbajtjen e sistemeve IT të qeverisë dhe pagesës së shërbimit nga Microsoft-i. ë Në këtë akt normativ propozohet edhe rritja me rreth 1.6 mld lekë e transfertës buxhetore të pushtetit vendor, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të prapambetura./scan