Thursday , February 27 2025

Elbasan – Policia nis hetimet për dy raste mashtrimi në rrjetet sociale

Policia e Elbasanit ka nisur hetimet për dy raste të përdorimit të paautorizuar të të dhënave personale në rrjetet sociale, pas denoncimeve të dy shtetaseve që janë përballur me mashtrim online.

Shtetasja R. M., 21 vjeçe, ka kallëzuar në Seksionin për Hetimin e Krimeve Kibernetike se persona të panjohur i kanë hapur një llogari në rrjete sociale, duke përdorur të dhënat e saj personale pa leje. Një rast i ngjashëm është denoncuar edhe nga shtetasja B. M., 42 vjeçe, e cila ka raportuar se është hapur një profil i rremë me të dhënat e vajzës së saj 16-vjeçare.

Autoritetet po punojnë për të gjurmuar dhe identifikuar përgjegjësit e këtyre veprimeve, të cilat bien ndesh me ligjin dhe mund të përdoren për mashtrim apo manipulime në internet. Krimet kibernetike janë një shqetësim në rritje, dhe Policia e Elbasanit po vijon punën për të ndaluar raste të tilla dhe për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet në hapësirën virtuale.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.