Vogëlushët e qytetit të Elbasanit kaluan një paradite plot ngjyra, fantazi dhe buzëqeshje me shfaqjen “Pinoku im, djali perfekt”, me regji të Hysen Mullajonuzit, e cila u dha në ambientet e Teatrit të Kukullave.
Fëmijët ndoqën me vëmendje aventurat e Pinokut, personazhit që mëson vlerën e së vërtetës dhe dashurisë përmes rrugëtimit të tij plot sfida e emocione. Aktorët e trupës së Teatrit të Kukullave sollën në skenë një interpretim plot ngrohtësi e humor, duke i bërë të vegjlit të ndihen pjesë e historisë.
Drejtori i Teatrit “Skampa”, z. Kliti Kapaj, u shpreh se këto shfaqje janë pjesë e misionit për t’i afruar fëmijët me artin dhe kulturën që në moshë të hershme:
“Jemi të lumtur që çdo shfaqje për fëmijë sjell kaq shumë gëzim dhe interes. ‘Pinoku im, djali perfekt’ është një histori që mëson vlera, prandaj do të vazhdojmë ta rikthejmë në skenë edhe në ditët në vijim për kënaqësinë e të gjithë të vegjëlve.”
Shfaqja do të rivihet sërish në ditët në vijim, ndaj prindërit ftohen të rezervojnë vendet për t’u dhuruar fëmijëve një përvojë të paharrueshme me artin e kukullave.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.