Thursday , July 10 2025

Elbasan/ Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Benjamin Deljana” në lagjen “28 Nëntori”

Rruga “Benjamin Deljana” në lagjen “28 Nëntori” është tashmë e rikonstruktuar dhe ka marrë trajtën e një aksi funksional që i shërben komunitetit lokal. Ndërhyrja nga Bashkia Elbasan ka përfunduar me shtresen përfundimtare të asfaltit dhe sistemimin e infrastrukturës.

Kjo rrugicë, megjithëse me gjatësi të shkurtër, ka pasur rëndësi të veçantë për banorët, pasi lidh dy rrugë të tjera më të mëdha, “Mustafa Shashaj” dhe “Shyqyri Berisha”, dhe i shërben drejtpërdrejt rreth 150 banorëve. Për më shumë se 30 vite, rruga ka qenë e paasfaltuar, pavarësisht se kishte sistem kanalizimesh funksional.

Rikonstruksioni i saj u realizua pas një kërkese të kahershme të banorëve, si pjesë e programit të Bashkisë Elbasan për përmirësimin e infrastrukturës në zonat informale, si në qytet, ashtu edhe në njësitë administrative rurale.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, thekson se “edhe një tjetër rrugë e paasfaltuar prej dekadash mori zgjidhje përfundimtare. Zona të tëra informale, si në qytet ashtu edhe në fshat, po i rikthejmë në standarde dinjitoze. Kjo është qasja jonë, të mos lëmë asnjë segment të lënë pas.”

Ai shtoi se investimet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha zonat informale të bashkisë, me qëllim që çdo lagje dhe komunitet të ketë infrastrukturën që meriton.