WCDCA zhvilloi workshopin e parë në kuadër të nismës “UNSCR 2250 në Veprim: Rinia për Paqe & Siguri”, duke sjellë një përvojë të veçantë mësimore dhe reflektuese për 46 të rinj e të reja nga zona të ndryshme të vendit. Përmes një formati interaktiv me tre stacione tematike – Rinia, Paqja dhe Siguria – pjesëmarrësit morën pjesë në një udhëtim ku mësimi, dialogu dhe përjetimi u bashkuan në një proces të vetëm, për të ndërtuar vizione të reja mbi rolin e tyre në shoqëri.
Gjatë workshopit, të rinjtë u njohën me Rezolutën 2250 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dokumentin historik që e njeh rininë si faktor kyç në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Ata mësuan të identifikojnë format e dukshme dhe të padukshme të dhunës përmes teorisë së “Trekëndëshit të Dhunës” të Johan Galtung, duke i lidhur këto koncepte me realitetet që përjetojnë çdo ditë në komunitetet e tyre. Përmes diskutimeve dhe reflektimeve të hapura, pjesëmarrësit ndanë ide të guximshme mbi mënyrat se si mund të kontribuojnë vetë për të sjellë ndryshim, paqe dhe siguri aty ku jetojnë.

Kjo përvojë u realizua falë përkushtimit të tri eksperteve të fushës, të cilat sollën në praktikë frymën e Rezolutës 2250 si një mjet advokimi për politikat e zhvillimit rinor: Oltiana Rama nga Peace Volunteering Network, Enia Hoxha nga Kongresi Rinor Kombëtar dhe Kristel Hasani nga United Nations Association Albania. Ato ndanë me të rinjtë njohuri dhe përvoja konkrete që e kthejnë paqen nga një ideal në një proces real ndërtimi.
Mirënjohje e veçantë u drejtohet edhe dy figurave kyçe në terren, që me pasion dhe profesionalizëm krijuan urën mes komunitetit dhe projektit: Arbër Rada, Koordinator Lokal në Has, dhe Enada Cengu, Koordinatore Lokale në Kukës. Kontributi i tyre ishte vendimtar për organizimin cilësor të workshopit dhe për përfshirjen e të rinjve nga të gjitha shtresat shoqërore.
Nëpërmjet pyetësorëve bazë dhe përmbyllës, u mat jo vetëm niveli i njohurive, por edhe mënyra se si të rinjtë e shohin veten – jo më si përfitues pasivë, por si aktorë të angazhuar që krijojnë zgjidhje dhe ndikim pozitiv në komunitetet e tyre.
Workshopet do të vijojnë gjatë muajit tetor në bashki të tjera të vendit, duke i dhënë zë të rinjve, hapësirë për pjesëmarrje dhe mundësi për të ndërtuar së bashku një të ardhme me më shumë paqe, drejtësi dhe siguri për të gjithë.
Së bashku me të rinjtë, për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe më paqësore!
Ky projekt mbështetet nga fondet e Ministrisë Federale Gjermane përmes ifa (Institut für Auslandsbeziehungen) dhe Zivik Funding Program.