Tuesday , June 24 2025

Elbasan/ “Nuk justifikonte burimin e ligjshëm”, konfiskohen pronat e një shtetasi të dënuar për prostitucion në Belgjikë

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, është vendosur konfiskimi i pasurisë së shtetasit A.K., i dënuar në Bruksel për veprën penale “Ushtrim prostitucioni”.

Objekti i sekuestruar përfshin një ndërtesë dykatëshe me funksion bar, restorant dhe hotel, e ndodhur në zonën kadastrale nr. 2559 në Malasej, Cërrik. Sipas Prokurorisë, hetimet në kuadër të procedimit pasuror nr. 11 të vitit 2020 zbuluan se A.K. nuk kishte mundur të justifikonte burimin e ligjshëm të kësaj pasurie.

A.K. është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Bruksel me 5 vite burg dhe një gjobë prej 84 mijë eurosh, për përfshirje në rrjet prostitucioni bashkë me disa shtetas të tjerë shqiptarë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.