Elbasan, nis rikonstruksioni i fasadave në lagjen “28 Nëntori”/ Llatja: Angazhimi ynë është i qartë

Blloku i pallateve në lagjen “28 Nëntori” është tashmë pjesë e programit për rikonstruksionin e fasadave me sistem kapotë, një nismë që po zbatohet nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Projekti synon përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët, kursimin e energjisë dhe krijimin e një identiteti të ri urban për qytetin.

Ky investim përfshin rikonstruksionin e plotë të fasadave të pallateve me sistem kapotë, i cili rrit izolimin termik dhe akustik, ul ndjeshëm konsumin e energjisë dhe i jep një pamje moderne dhe të unifikuar zonës.

“Angazhimi ynë është i qartë: të gjitha pallatet në qytetin e Elbasanit do të kalojnë në sistemin kapotë. Ky është një standard që përmirëson ndjeshëm komoditetin e banesave, ul kostot e energjisë dhe rrit vlerën e pronës së qytetarëve. Përmes bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po e bëjmë Elbasanin një qytet më të bukur, më të qëndrueshëm dhe më miqësor me mjedisin,” – u shpreh kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Banorët e lagjes “28 Nëntori” kanë mirëpritur ndërhyrjen, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të banimit dhe estetikës së qytetit.

Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë transformimi urban që po zbatohet në disa lagje të Elbasanit, me synim përmirësimin e infrastrukturës, efikasitetit energjetik dhe cilësisë së jetesës për të gjithë qytetarët.