Qytetarët dhe fëmijët e Elbasanit do të kenë së shpejti një hapësirë çlodhëse dhe rekreative për aktivitete sportive, të quajtur parku rekreativ “Dua të luaj”.
Ky projekt, një nismë e bashkisë Elbasan po realizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe synon krijimin e një hapësire moderne dhe funksionale rekreative, në shërbim të të gjitha grupmoshave.
Projekti parashikon ndërtimin e një hapësire prej 22 mijë m², e cila do të përfshijë fushë sportive, kënde lojërash për fëmijë, si dhe ambiente rekreative të gjelbra, të konceptuara për fëmijë, familje dhe të moshuar.

Ky investim është pjesë e vizionit të bashkisë Elbasan për transformimin e hapësirave publike, promovimin e një stili jetese aktive dhe krijimin e mjediseve të sigurta, të aksesueshme dhe miqësore me mjedisin.
Në lidhje me nisjen e punimeve, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se ky projekt është një investim që i shërben drejtpërdrejt komunitetit, duke krijuar hapësira moderne për sport, argëtim dhe relaks, si dhe duke rritur cilësinë e jetës në qytet.

Përmes projekteve të tilla, bashkia Elbasan vijon angazhimin për t’i dhënë qytetit më shumë gjelbërim, hapësira rekreative dhe mundësi të reja për komunitetin.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.